Pyetje të Shpeshta


1. Çfarë është MOM?

"Monitori i Pronësisë së Medias" (MOM) është zhvilluar si një mjet hartë që të krijohet një databazë e disponueshme publikisht dhe e përditësuar vazhdimisht që rendit pronarët dhe të gjithë mediat kryesore (shtyp, radio, televizion dhe media në internet).

MOM synon të hedhë dritë mbi rreziqet që i sillen pluralizmit të medias nga përqendrimi i pronësisë së medias (për më shumë informacion: Metodologjia). Në mënyrë që të kuptohen karakteristikat dhe faktorët që i shtojnë apo i pakësojnë rreziqet për përqendrimin e medias, MOM vlerëson gjithashtu në mënyrë cilësore kushtet e tregut dhe mjedisin ligjor. 

2. Kush qëndron pas MOM?

MOM është propozuar dhe lansuar nga Reporter ohne Grenzen e. V. - seksioni gjerman i organizatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Reporterët pa Kufij (Reporters Sans Frontières, RSF), e cila synon të mbrojë lirinë e shtypit dhe të drejtën për informim dhe për t'u informuar kudo në botë.

Në vitin 2019, projekti iu delegua Global Media Registry (GMR), një ndërmarrje sociale e pavarur, jofitimprurëse e regjistruar sipas ligjit gjerman.

Në çdo vend, MOM vihet në zbatim në bashkëpunim me një organizatë partnere lokale. Në Kosovë, GMR punoi me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN Kosova). Projekti u financua nga Bashkimi Evropian.

3. Ku mund ta shkarkoj raportin?

Uebfaqja e MOM ofron një opsion të shkarkimit në formatin PDF e që përmban të gjithë përmbajtjen e uebfaqes. PDF gjenerohet automatikisht dhe kështu përditësohet çdo ditë. Kjo mundësi ekziston për të gjitha gjuhët e uebfaqes. Për të gjeneruar PDF-në, lëvizni poshtë te fundi i faqes së internetit, zgjidhni gjuhën tuaj të preferuar dhe "Shkarko ueb faqen e plotë si PDF".

4. Pse është e rëndësishme transparenca e pronësisë së medias?

Pluralizmi i medias është një aspekt kyç i shoqërive demokratike për shkak se media e larmishme reflekton këndvështrime të larmishme dhe mundëson kritikimin e njerëzve në pushtet. Rreziku për larmishmëri idesh shkaktohet nga përqendrimi në tregun e medias, kur vetëm pak lojtarë ushtrojnë ndikim vendimtar mbi opinionin publik dhe ngrenë barriera hyrëse për lojtarë dhe perspektiva të tjera (përqendrimi i pronësisë së medias). Pengesa më e madhe për ta luftuar këtë është mungesa e transparencës në pronësinë e medias: Si mundet që njerëzit të vlerësojnë besueshmërinë e informacionit nëse ata nuk e dinë se kush e ofron atë? Si mundet që gazetarët të punojnë siç duhet kur ata nuk e dinë se kush e kontrollon kompaninë për të cilën punojnë? Dhe si mundet që autoritetet e medias të trajtojnë përqendrimin e tepruar të medias, në rast se ata nuk e dinë se kush e drejton median?

MOM për rrjedhojë synon të krijojë transparencë dhe t'i përgjigjet pyetjes "kush në fund e kontrollon përmbajtjen e medias?" në mënyrë që të rrisë ndërgjegjësimin publik dhe të krijojë advokim bazuar në fakte për të mbajtur llogaridhënës lojtarët politikë dhe ekonomikë për kushtet ekzistuese.

Për shkak se ne e konsiderojmë transparencën e pronësisë si parakusht kyç për të zbatuar pluralizëm medial, ne dokumentojmë gatishmërinë e kompanive të medias për të dhënë informacion mbi strukturën e tyre të pronësisë. Duke vlerësuar përgjigjet e tyre, ne dallojmë nivele të ndryshme transparence - e cila vlerësohet për çdo kompani mediale dhe për çdo media në profilin e tyre.

Arsyet se pse pronarët e medias mund të dëshirojnë të qëndrojnë të fshehtë apo të fshehin aktivisht investimet e tyre mund të variojnë nga arsyet tërësisht të ligjshme tek ato të paligjshme dhe mund të jenë personale, ligjore apo për shkaqe biznesi - apo disa arsye njëherësh, ndërsa në raste ekstreme mund të kemi edhe krime penale të tilla si evazioni fiskal apo shkeljet e ligjeve anti-trust.

Disa nga këto arsye mund të jenë siç vijon:

  • Në shumë vende, pronësia e medias është e kufizuar me ligj me synimin për të shmangur përqendrimin. Kështu, nëse një individ dëshiron të zgjerojë perandorinë e tij/saj mediale përtej këtyre kufijve, përdoren pronarë fasadë dhe/ose kompani guackë regjistrohen jashtë vendit e madje edhe nëpër parajsa fiskale.

  • Në disa raste, pronarët e medias marrin kërcënime personale apo përballen me rreziqe që rrjedhin ose nga qeveritë ose nga konkurrentët dhe për rrjedhojë vendosin të mbeten të panjohur për të mbrojtur vetveten.

  • Në shumë raste, pronësia e medias ndërthuret me interesa jo të përshtatshme politike dhe/ose ekonomike, akoma më shumë nëse individët në fjalë kanë poste publike dhe nuk duan të zbulojnë një konflikt të tillë interesi.

  • Në raste të rralla, fshehja e pronësisë së medias ndodh në mënyrë të paqëllimtë për shkak se me kalimin e kohës, përmes bashkimeve dhe blerjeve, strukturat korporative bëhen kaq komplekse sa pronari final përfitues është i vështirë të identifikohet.

E fundit por jo më e parëndësishmja, ka arsye 'normale' - d.m.th. jo të lidhura me median për pronarët për t'u fshehur, të tilla si shmangia fiskale.

5. Çfarë forme rregullimi mbi përqendrimin sugjeron MOM?

MOM nuk bën deklarata normative - nuk sugjeron se si duhet të rregullohet pronësia e medias. Se cilat forma të rregullimeve mbi përqendrimin e medias mund të funksionojnë, kjo varet nga konteksti i vendit, kushtet ekzistuese ligjore dhe të tregut dhe nga panorama e pronësisë.

MOM ofron mjete transparence për të shtyrë drejt një diskutimi demokratik mbi këtë çështje si dhe mbi qeverisjen e mirë: vendimet ka gjasa që mund të kenë cilësi më të lartë dhe të reflektojnë më mirë nevojat dhe dëshirat e popullit nëse ata kanë akses te informacioni i duhur dhe konsultohen gjerësisht, ku këndvështrimet dhe opinionet ndahen lirisht.

6. Si mblidhen dhe verifikohen të dhënat?

Parapëlqehen burime zyrtare të të dhënave me nivel të lartë besueshmërie. Kurdo kur këto të dhëna nuk janë të disponueshme publikisht, informacioni u kërkohet drejtpërsëdrejti kompanive të medias, përfaqësuesve publikë apo institucioneve kërkimore. Të gjitha burimet dokumentohen tërësisht dhe arkivohen në Library. Më shumë informacion është i disponueshëm përmes kërkesës te BIRN Kosova.

Informacioni mbi strukturat e pronësisë, aksionerët dhe raportet financiare të kompanive të medias dhe të pronarëve individualë të lidhur u morën nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovoë. Databaza e saj është e qasshme online në gjuhët shqipe, angleze dhe serbe.

Ekipi i MOM po ashtu ka dërguar kërkesa për qasje në informacion te të gjitha kompanitë mediale të përfshira në mostrën e hulumtimit e po ashtu ka dërguar kërkesa për qasje në informacion edhe te transmetuesi publik i Kosovoës, RTK, Ministria e Financave, Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) si dhe në Komisionin e Pavarur për Media (KPM). 

Në mënyrë që të garantohet dhe verifikohet vlerësimi objektiv, MOM ka punuar me një grup këshillues i cili komentoi dhe u konsultua përgjatë procesit kërkimor. Ky grup përbëhet nga ekspertë nga Kosova të specializuar dhe me njohuri e përvojë të konsiderueshme në fushat e medias dhe komunikimit.

BIRN Kosova po ashtu ka ndarë gjetjet kryesore të hulumtimit me 44 mediat e përfshira në mostër, me qëllim të validimit të të dhënave dhe për t’u dhënë mundësinë që të përgjigjen rreth gjetjeve. BIRN Kosova i ka rishikuar të gjitha përgjigjet e marra nga mediat veç e veç për të siguruar saktësinë e të dhënave, si dhe trajtimin fer, të barabartë dhe objektiv të të gjitha mediave të përzgjedhura.

7. Si përkufizohet "mediat më relevante"?

Pyetja kryesore është: cilat prej mediave ndikojnë procesin e krijimit të opinionit? Në mënyrë që të shiheshin të gjitha mediat më të rëndësishme, ne përfshimë të gjitha llojet e medias (shtyp, radio, televizion dhe online).

Në kontekstin e ekosistemit të mediave në Kosovë, "media më e rëndësishme" përkufizohet nga disa faktorë kyçë. Kjo përfshin aftësinë e mediave për të pasur shpërndarje sa më të gjerë dhe për të arritur një masë sa më të gjerë të popullsisë, si në aspektin gjeografik e po ashtu edhe në aspekt të madhësisë së audiencës, siç mund të shihet nga shpërndarja e hises së shpërndarjes nga faqet në media sociale të televizioneve dhe të mediave online. Larmia e përmbajtjes së prodhuar është po ashtu shumë e rëndësishme, duke përfshirë lajmet, çështjet e aktualitetit si dhe argëtimit për të ofruar një perspektivë gjithëpërfshirëse të mediave. Këto media janë përzgjedhur për shkak të rëndësisë së tyre për të reflektuar realitetet e ndryshme sociale, politike, ekonomike e kulturore të Kosovës, e që u shërbejnë ndryshimeve gjuhësore me mbulueshmëri të konsiderueshme në gjuhën shqipe dhe atë serbe. Shkalla e angazhimit të palëve dhe interaktivitetit të audiencës, posaçërisht në mesin e mediave online dhe të radiove, tregojnë se sa në mënyrë efektive këto media lidhen me audiencat e veta. Për më shumë, mbulimi i balancuar dhe gjithëpërfshirës në mesin e këtyre mediave e siguron një përfaqësim të gjerë dhe përfshirës të lajmeve dhe ngjarjeve të tjera. Besimi në të dhënat e hulumtimit dhe analizave, siç janë ato që janë ofruar nga UBO Consulting edhe më tutje e fuqizojnë përzgjedhjen e këtyre mediave si më relevantet në ndikimin në formimin e opinionit në Kosovoë, e që përfshijnë media tradicionale siç janë ato në radio, TV dhe në platforma online.

8. Si janë përzgjedhur mediat?

Mediat në kuadër të mostrës së projektit të Monitoruesit të Pronësisë së Medias (MOM) në Kosovë janë përzgjedhur bazuar në kriteret në vijim:

Arritja e audiencës: Aftësia e një medie për t’iu qasur një pjese të konsiderueshme të popullsisë. Kjo përfshin madhësinë e audiencës që një medium mund të ketë ndikim në të. Për stacionet televizive, audienca është matur me përqindjen e audiencës si dhe arritja e audiencës rreth platformave në media sociale. 

Shumëllojshmëria e përmbajtjes: Format e ndryshme të përmbajtjes që ofrohen nga mediat ka qenë një pjesë tepër e rëndësishme. Kjo përfshin programet e ndryshme apo artikujt që mbulojnë zhanre të ndryshme duke përfshirë lajmet, çështjet e akutalitetit, zbavitjen etj., për të siguruar një gjithëpërfshirje të skenës mediale në Kosovë. 

Rëndësia për audienca të ndryshme: Mediat u përzgjodhën edhe sipas aftësisë së tyre për të reflektuar mbi realitetet e ndryshme sociale, politike, ekonomike e kulturore në Kosovë. Kjo përfshin edhe të siguruarit që mediat e ndryshme u shërbejnë komuniteteve të ndryshme gjuhësore në Kosovë, ku një pjesë e konsiderueshme kanë në gjuhën shqipe, një pjesë më e vogël u shërbejnë komunitetit serbisht-folës ndërsa të tjerët u shërbejnë komuniteteve më të vogla, duke përfshirë komunitetin rom. 

Shkalla e angazhimit dhe interaktivitetit: Për mediat online dhe për radio, përzgjedhja është bazuar pjesërisht edhe në shkallën e angazhimit dhe interaktivtietit me audiencat, e të dhënat për këtë janë mbledh nga CrowdTable. Kjo tregon se sa efektivisht angazhohen mediat me audiencat e tyre, veçanërisht përmes platformave digjitale. 

Përfaqësimi i gjuhëve shqipe e serbe - Mostra ka përfshirë të dy grupet kryesore gjuhësore në Kosovë në mënyrë adekuate, e që ka qenë një aspekt i rëndësishëm i përzgjedhjes. 

Përdorimi i Hulumtimeve dhe Analizave: Procesi i përzgjedhjes është varur shumë në hulumtimet dhe analziat e ofruara nga kompanitë si UBO Consulting. Këto të dhëna kanë ndihmuar në kuptimin më të mirë të performancës, audiencës dhe llojllojshmërisë së përmbajtjes së prodhuar nga media të ndryshme.

9. Pse Kosova?

Në vitin 2023, Kosova u rendit në vendin e 56-të nga 180 shtete në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të publikuar nga Reporterët pa Kufij, duke shënuar një përmirësim të dukshëm krahasuar me pozitën që e kishte në vitin e kaluar, kur qëndronte në vendin e 61-të. Ky indeks vlerëson vendet bazuar në faktorë si pavarësia e medias, kornizën ligjore ekzistuese, treguesit socialë dhe të sigurisë. Kosova shënoi 68.38 në këtë indeks, që tregon një mjedis relativisht të favorshëm për lirinë e mediave në krahasim me shumë vende të tjera.

Mediat e Kosovës përballen me rregullim të kufizuar ligjor të përqendrimit të mediave, legjislacion të dobët që rregullon funksionimin e sektorit të mediave, transparencë dhe llogaridhënie. Në anën tjetër, Kosova gjithashtu përballet me retorikë të ashpër nga njerëzit në pushtet, si ata që punojnë në sektorin publik ashtu edhe ata brenda partive politike. Disa nga këto çështje u përsëritën më tej nga raporti i BE-së për Kosovën për vitin 2023, ku theksohej se mungesa e vetë-qëndrueshmërisë financiare i lë mediat në pozitë të cenueshme ndaj interesave politike dhe të biznesit. Kjo përforcohet më tej nga mungesa e informacionit dhe e të dhënave për përfituesin përfundimtar të pronësisë së medias – dispozitat për këtë ende nuk janë të përfshira në ligj.

Së fundi, një organizatë e fortë partnere vendore, siç është Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) në Kosovë, është një nga kriteret më të rëndësishme të përzgjedhjes së RSF-së pasi paraqet bazën për një zbatim të suksesshëm.

10. A ekziston MOM vetëm në Kosovë?

MOM u zhvillua si metodologji gjenerike që mund të zbatohet universalisht - dhe potencialisht do të zbatohet si e tillë. Pa harruar se tendenca e përqendrimit të medias është e dallueshme në mbarë botën, zbatimi dhe analiza fillimisht do të zhvillohet në vendet në zhvillim. Deri më tani, MOM është zbatuar në rreth 20 shtete të botës gjatë tri viteve. Të gjitha uebfaqet e projektit të realizuar nëpër vende të ndryshme të botës mund të gjenden në këtë uebfaqe.

11. Cilat janë kufizimet e këtij studimi?

Të dhënat financiare: Përqendrimi i tregut bazohet në ndarjen e tregut dhe kjo nuk mund të llogaritet për internetin dhe për radion për shkak se raportet financiare nuk ishin gjithmonë të disponueshme sipas medias ose mediat nuk janë gjithmonë të regjistruara, p.sh., kanë të ardhura të përgjithshme nga biznese të tjera.

Matja zyrtare e audiencës nuk është e qasshme publikisht: ajo shitet nga kompanitë kërkimore dhe të dhënat e ofruara mund të kontestohen nga disa pronarë mediash dhe ekspertë.

Disa analiza, veçanërisht në tregjet e ndryshme lokale si dhe në struktura pronësie më të fshehura mund të kërkojë më shumë kohë dhe burime.

Shpenzimet/reklamat publike për median nuk janë transparente. Është e pamundur të identifikohen fondet e shpenzuara për median, për shkak se ato jo gjithmonë etiketohen si të tilla.

12. Kujt i drejtohemi?

Databaza

  • lejon çdo shtetas të marri informacion mbi sistemin e medias në përgjithësi;
  • krijon një bazë me fakte që shoqëria civile të punojë për të promovuar më tej vetëdijen mbi pronësinë e medias dhe përqendrimin;
  • shërben si referencë për konsultimin e autoriteteve të konkurrencës ose organeve shtetërore kur këta ndërmarrin masa të përshtatshme rregullatore për të ruajtur pluralizmin e medias.

13. Çfarë ndodh pas kësaj?

Databaza është një panoramë e situatës aktuale, e kontekstualizuar me fakte historike. Ajo do të përditësohet rregullisht nga BIRN Kosova.

14. A ka projekte të tjera të ngjashme?

Qendra për Pluralizmin e Medias dhe Lirinë e Medias (CMPF) në Institutin e Universitetit Europian (EUI) kryen “Monitorin e Pluralizmit të Medias” (MPM). Financuar nga Bashkimi Europian MPM identifikon kërcënimet ndaj pluralizmit bazuar në një gamë më të gjerë indikatorësh që përfshijnë aspektet ligjore, ekonomike dhe social-kulturore, duke e marrë përqendrimin e pronësisë së medias si vetëm një nga gjashtë dimensionet e saj. Ajo vlerëson rreziqet mbi pluralizmin e medias në vendet anëtare të BE-së.

  • Project by
    BIRN LOGO
  •  
    Global Media Registry
  •  
    Funded by European Union