Transparenca e Cunguar e Mediave
Mediat në Kosovë nuk tregohen transparente kur pyeten rreth pronësisë së tyre dhe të hyrave e fitimit nga reklamimi. Një hulumtim i thellë mbi pronësinë e mediave kosovare shfaqi mungesë transparence në mediat e vendit dhe një bazë ligjore të cunguar e cila do ta garantonte transparencën.
Standardet ndërkombëtare kërkojnë që publiku të dijë se kush janë pronarët dhe kush përfiton në fund nga veprimtaria e mediave.
BIRN në kuadër të një bashkëpunimi me Regjistrin Global të Medias, GMR, dhe me përkrahjen e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë ka hulumtuar nëse mediat në Kosovë kanë publikuar mjaftueshëm të dhëna për pronësinë e tyre.
44 media u zgjodhën të jenë pjesë e hulumtimit bazuar në të dhënat e nxjerra nga MediaMetri, Google Analytics dhe prezencës së mediave në rrjete sociale.
Në fund të muajit gusht 2023, BIRN kërkoi nga mediat të dhëna mbi pronësinë e tyre. Nga 44 mediat vetëm 15 nga to ofruan të dhëna ndërsa 29 media apo 65.90% nuk ofruan të dhënat e kërkuara.
Për të siguruar të dhëna të sakta, BIRN Kosova shfrytëzoi të drejtën e qasjes në dokumente publike në institucionet si Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), Komisioni i Pavarur i Mediave të Kosovës (KPM) dhe Ministrinë e Financave.
ARBK, institucion për regjistrim të bizneseve, u përgjigj pozitivisht në 44 kërkesa për dosjen e secilit biznes dhe historitë e regjistrimit të tyre.
KPM po ashtu ofroi qasje në dokumentet që lidheshin me licensimin e mediave televizive dhe me frekuencë. Megjithatë, KPM refuzoi të japë qasje në të dhënat financiare.
Por në disa raste, të dhënat për pronësinë e mediave që operojnë në Kosovë duhet të kërkohen jashtë vendit. Kjo për shkak që kompanitë mediale që kanë në pronësi mediat janë të regjistruara në vende të tjera.
BIRN u detyrua që të kërkojë dhe të sigurojë të dhëna nga Maqedonia e Veriut dhe të paguajë për të marrë qasje në databaza ndërsa për mediat që janë të regjistruara në Holandë, qasja është pamundësuar për shkak se ky shtet nuk i publikon të dhënat e bizneseve.
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) është një institucion kushtetues që rregullon mediat audiovizive dhe me frekuencë në Kosovë.
Në disa prej rasteve të hulumtura, ekipi ka gjetur se pronësia e mediave ka ndryshuar përgjatë viteve. Sipas legjislacionit në fuqi, mediat janë të obliguara që sa herë që ndryshojnë pronësinë, atë ta deklarojnë pranë institucioneve relevante, por në rastin e Klan Kosovës, kishte vonesa në përditësim të të dhënave.
“Me rastin e licencimit kërkohen informacione për secilin pronar/aksionar dhe kjo çështje është e rregulluar me një akt të KPM, pra me anë të “Kushtet dhe termet e Licencës”, ku përcaktohen obligimet e subjektit juridik që licencohet nga KPM-ja, dhe nënkupton të drejtat dhe detyrimet e të Licencuarit të zbatueshme për të gjitha shërbimet mediale audio-vizuele” - thuhet në një përgjigje zyrtare të KPM-së.
Në anën tjetër, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës që aktualisht numëron 56 anëtarë, përfshin mediat online në Kosovë. KMShK është një organ vetërregullues i mediave online në vend, ku vetë mediumet anëtarësohen dhe zbatojnë një kod të etikës profesionale.
Anëtarësimi në këtë mekanizëm është vullnetar dhe KMShK mediave u kërkon disa dokumente kur ato dëshirojnë të bëhen anëtare.
“Anëtarësimi në Këshill... është vullnetar. Bazuar në përgjegjësitë e këtij trupi vetërregullues, mediave për t’u bërë pjesë e KMShK-së u kërkohet certifikata e regjistrimit të biznesit në ARBK, të dhënat që kanë të bëjnë me adresën dhe kontaktet, si dhe impressumi, përkatësisht të dhënat që kanë të bëjnë me bordin editorial” - thotë Imer Mushkolaj nga KMShK.
Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK) thotë se të gjitha bizneset që aktivitet kanë edhe produktet e medias, janë të obliguara që të dorëzojnë pranë këtij institucioni një listë me të dhëna dhe dokumente.
“Në rastet kur në Kosovë regjistrohet një biznes medial, ARBK kërkon dorëzimin e certifikatës së regjistrimit të biznesit dhe informatat e biznesit jo më të vjetra se tre (3) muaj dhe pasaportën e përfaqësuesit ligjor të kompanisë” - thuhet në përgjigjen e ARBK-së.
Nevoja për transparencë u shtua në veçanti më lulëzimin e mediave të reja. Kosova është një nga vendet me qasjen më të lartë në internet në Evropë dhe me përdorimin më të madh të rrjeteve sociale në rajon. Kjo mundësoi krijimin e mediave të cilat prodhojnë qindra-mijëra informacione brenda ditës.