Rregullimi i Munguar i Koncentrimit të Pronësisë së Mediave

Kosova nuk ka mekanizma dhe bazë ligjore që e ndalon koncentrimin e pronësisë së mediave te një biznes apo individ i vetëm.

Vendet e zhvilluara, përfshirë ato të BE-së, kanë hartuar rregulla ligjore me të cilat i ndalojnë një pronari të ketë numër të madh të mediave në pronësi. Një normë e till është fuqizuar me qëllim që të parandalohet  dominimi i mediave nga një pronar i vetëm.

Një hulumtim i BIRN tregon se Kosova ende nuk ka hartuar bazë ligjore e cila do ta ndalonte koncentrimin e pronësisë në media.

Vendi imponon licencim për radiot dhe televizionet mirëpo, sipas gjetjeve të BIRN, Komisioni i Pavarur i Mediave nuk ka një bazë ligjore me të cilën do të mund të ndalonte që një pronar të blinte numër të madh të televizioneve dhe radiove.

Baza ligjore tregon se liria e mediave dhe pluralizmi medial janë të drejta të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. 

Mbi këtë parim është i rregulluar edhe pluralizmi medial që nënkupton që pronësia e mediave në Kosovë nuk duhet të jenë të koncentruara në vetëm një pronar të vetëm.

Kushtetuta e Kosovës ka hyrë në fuqi me 15 qershor 2008, mirpëo parimi kushtetues nuk u zbatua në legjislacionin sekondar. 

Analiza e bazës ligjore tregon se çështja e koncentrimit të pronësisë së mediave në Kosovë ka mbetur e parregulluar dhe rrjedhimisht një pikë e cenueshme, duke rrezikuar kështu edhe lirinë e mediave në tërësi. 

Përkundër përpjekjeve për rregullimin e çështjes së koncentrimit të pronësisë së mediave në 6 vitet  e fundit, Kosova nuk ka legjislacion që rregullon këtë fushë të ndjeshme të rregullimit medial duke rrezikuar të minojë kështu pluralizimin medial në tërësi.

Kosova në vazhdimësi është kritikuar për këtë ngjecje nga Komisioni Evropian përmes Raportit të Progresit për Kosovën. Në këtë raport, vit pas viti është evidentuar se Kosova nuk arrin të adresojë çështjen e rregullimit të pronësisë së mediave, transparencës rreth pronësisë  dhe në veçanti rregullimin e pronësisë së mediave. 

Mungesa e këtij rregullimi pamundëson vendosjen e  standardeve lidhur me pluralizmin dhe diversitetin e mediave, transparencën në pronësinë e mediave dhe koncentrimin e pronësisë në media. Këto standarde do të shërbenin për të parandaluar monopolet në tregun medial, ndalimin e dominimit dhe presionit mbi mediat, lirinë e shprehjes dhe kështu do të ishte një vegël shumë e rëndësishme për ruajtjen e pavarësisë editoriale dhe të drejtën e informimit objektiv.

Koncentrimi i pronësisë së mediave nënkupton situatën ku një numër i vogël individësh ose personash juridikë, ose kompanish kontrollojnë aksionet në disa ofrues të shërbimeve mediale dhe kanë kontroll (efektiv), gjë që mund të çojë në një ndikim negativ në nivelin e pluralitetit të zërave dhe opinioneve në dispozicion, dhe në këtë formë nuk garantohet pluralizmi dhe diversiteti medial.

Si është e rregulluar aktualisht pronësia e mediave në Kosovë?

Komisioni i Pavarur për Media funksionon si organ i pavarur e  përgjegjës që të nxisë dhe të mbajë një sistem të drejtë dhe të hapur për licencimin dhe rregullimin e shërbimeve mediale audiovizuele dhe për menaxhimin e spektrit të frekuencave të transmetimit në pajtim me standardet më të mira ndërkombëtare.

Megjithatë, ligji në bazë të së cilit vepron Komisioni i Pavarur për Media e injoron plotësisht rregullimin e çështjes së koncentrimit të pronësisë së mediave. Përderisa ky ligj përcakton dispozita lidhur me publicitetin e dokumenteve që lidhen me licencat dhe obligimin e KPM-së për punë transparente, ky ligj nuk e trajton fare çështjen e pronësisëe së mediave e aq më pak çështjen e koncentrimit të pronësisë së mediave. 

Përtej ligjit, dokumenti i cili e përmend çështjen e pronësisë së mediave është ‘Rregullorja e KPM-së për Dhënie të Licencës’, që përveç se rregullon tërësinë e obligimeve që të licencuarit duhet t’i përmbushin, përmend edhe ‘koncentrimin e pronësisë së mediave’, duke evidentuar se një dokument i tillë do të inkurajonte shumëllojshmërinë dhe konkurrencën e mediave, përcakton se ‘koncentrimi i pronësisë së mediave do të rregullohet nga KPM-ja me një akt të veçantë nënligjor’.

Kjo rregullore e KPM-së është pothuajse një dekadë e vjetër teksa të paktën nga viti 2018, Komisioni i Pavarur për Media e paraqet në planin e punës për vitin vijues hartimin e rregullores për koncentrimin e pronësisë mirëpo deri më tani kjo nuk është realizuar asnjëherë por vetëm është bartur vit pas viti si obligim edhe pse konsiderohet një nga objektivat kryesor të Komisionit të Pavarur për Media.

Një dokument tjetër i KPM-që që përcakton obligime për të licencuarit është edhe dokumenti i titulluar ‘Kushtet dhe Termet e Përgjishme të Licencës’, - që përcakton obligimet e të licencuarve për të njoftuar KPM-në dhe për të marrë aprovim paraprak për çdo ndryshim të pronësisë të 10% të aksioneve apo interesave. Ky dokument po ashtu përcakton që të licencuarit duhet të ofrojnë për KPM-në informacion për identitetin e pronarëve që zotërojnë më pak se 10% të aksioneve të një emetuesi që është regjistruar si shoqëri aksionare. 

Pra, edhe ky dokument ndonëse vendosë kërkesa lidhur me ofrimin e informacioneve për pronarët e një mediumi, nuk vendosë asnjë lloj ndalimi që një person fizik apo juridik të jetë pronar i disa subjkekteve mediale duke rrezikuar kështu pluralizmin medial. 

Komisioni i Pavarur për Media ka të publikuar regjistrat e operatorëve të licencuar të shpërndarjes (kabllorëve), regjistrin e televizioneve përmes operatorëve te shpërndarjes dhe regjistrin e radiove dhe televizioneve tokësore, mirëpo këta regjistra ofrojnë përmbajtje të kufizuar të të dhënave lidhur me pronarët dhe nuk ofrojnë asnjë lloj përcaktimi e aq më pak kufizimi lidhur me koncetrimin e pronësisë së mediave. 

Po ashtu, Komisioni i Pavarur për Media publikon të gjitha vendimet për licencim dhe vendimet tjera relevante lidhur me pronësinë në ueb-faqen e tyre.

Mekanizmi i vetëm që në mënyrë indirekte do të mund të ishte i zbatueshëm për të mbrojtur pluralizimin medial dhe koncentrimin e pronësisë aktualisht është Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës që zbatohet për të gjitha format e parandalimit, kufizimit ose shtrembërimit të konkurrencës nga ndërmarrjet në territorin e Republikës së Kosovës ose jashtë territorit, nëse veprimet e tyre kanë efekt në tregun e Republikës së Kosovës, mirëpo pa rregullim specifik të çështjes së koncentrimit të pronësisë në fushën e mediave ky mekanizëm është pothuajse i padobishëm. 

E ardhmja e koncentrimit të pronësisë

Rasti i kohëve të fundit i mediumit Klan Kosova të cilëve në qershor 2023  iu pezullua certifikata e biznesit nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) nën pretendimin se në certifikatat e biznesit te ndërrimi i pronarëve vendbanimi është shënuar në kundërshtim me parimet e Kushtetutës e Republikës së Kosovës, ri-aktualizoi cështjen e pronësisë së mediave.

Ky vendim u vërtetuar edhe nga shkalla e dytë në MINT ndërsa Gjykata Komerciale e shfuqizoi pezullimin duke i dhënë të drejtë ankesës së Klan Kosova lidhur me çështjen e pezullimit të licencës deri në vendimin përfundimtar rreth rastit. 

Dilemat e ngritura rreth këtij rasti dhe rregullativës së pronësisë së mediave në Kosovë sikur i dhanë një shtysë cçështjes së koncentrimit të pronësisë së mediave teksa në tetor të këtij viti Komisioni i Pavarur për Media e hodhiqiti në konsultime publike draftin e Rregullores për Koncentrimin e Pronësisë

Draft Rregullorja e KPM-së e publikuar për komente më datë 10 tetor 2023  ka për qëllim vendosjen e standardeve lidhur me pluralizmin dhe diversitetin medial dhe transparencën në pronësinë e mediave, zhvillimin dhe promovimin e lirisë së shprehjes, ruajtjen e pavarësisë editoriale dhe të drejtën e informimit objektiv. 

Ky Draft përcakton se  ‘një person fizik ose juridik që ka një licencë transmetimi audiovizuele me karakter gjeneralistik, mund të marrë vetëm edhe një licencë transmetimi audio dhe anasjelltas’.

Më tej, kjo Draft Rregullore përcakton se “Një OSHMA (ose person i lidhur me të) ka të drejtë të ketë aksione në një agjenci lajmesh ose kompani që e zotëron atë maksimumi 10%.”.

Ky dokument rregullon edhe çështjen e pronësisë së huaj teksa kufizon se ‘Pronësia e huaj në një të licencuar lejohet vetëm me aprovim të KPM-së dhe nuk mund të jetë më e lartë se 49% e aksioneve”. 

Përveç kësaj rregulloreje, edhe draft ligji për Komisionin e Pavarur për Media i dedikon një nen të veçantë rregullimit të koncetrimit të pronësisë duke vendosur kështu bazën ligjore për cështjen e koncetrimit të pronësisë.

  • Project by
    BIRN LOGO
  •  
    Global Media Registry
  •  
    Funded by European Union