Shteti dhe Mediat Fshehin Financat e Mediave
Publiku në Kosovë e ka të pamundur të kuptojë burimet e financimit të mediave. Disa nga to nuk i publikojnë ndërsa insitucionet relevante i kanë bërë publike të dhënat financiare vetëm për dy media në vend.
Në muajin gusht 2023, BIRN në kuadër të një bashkëpunimi me Regjistrin Global të Medias, GMR, nisi hulumtimin për burimin e financimit të mediave në vend.
44 media u përzgjodhën për të qenë pjesë e këtij hulumtimi duke u bazuar në të dhënat e nxjerra nga MediaMetri, Google Analytics dhe të dhënave të prezencës në media sociale. Kjo metodologji është përdorur në mungesë të të dhënave zyrtare për shikueshmërinë, degjueshëmërinë, lexueshmërinë por edhe për të dhënat rreth pronësisë dhe të hyrave financiare në Kosovë. Të dhënat nga këto kërkesa do të bëhen publike në databazën e Monitorit të Pronësisë së Mediave.
Në nisje të hulumtimit, BIRN me kërkesa për qasje në dokumente u kërkoi mediave që të ofrojnë të dhënat financiare. Vetëm tri media, përkatësisht TV21, Radio Romano Avazo dhe Radio Club FM u përgjigjën rreth këtyre të dhënave.
Hulumtimi u shtri edhe në të dhënat publike por vrojtimi i BIRN zbulon se mediat nuk publikojnë të dhënat e tyre financiare në uebfaqet e tyre, mirëpo këtu bëjnë përjashtim vetëm televizioni publik dhe dy media private.
Hulumtimi shpërfaq se edhe institucionet publike mbajnë të fshehura raportet financiare që mediat i dorëzojnë te ta.
Në uebfaqen e Ministrisë së Financave janë publike vetëm të dhënat e kompanive TV21 dhe kompanisë EDU Invest në kuadër të së cilës funksionon ATV.
BIRN, me kërkesë për qasje në dokumente publike, i kërkoi Qeverisë së Kosovës të dhënat për 44 mediat mirëpo u morën vetëm të dhënat për “Klan Kosova Sh.p.k”.
Ministria e Financave nuk ka kthyer përgjigje zyrtare për arsyen e mosdërgimit të raporteve financiare për mediat e tjera.
Mediat i raportojnë të hyrat në Administratën Tatimore të Kosovës dhe nga ATK dërgohen pastaj në Ministrinë e Financave.
BIRN kërkoi nga ATK të ketë qasje në këto raporte mirëpo kërkesa u refuzua.
Sipas zëdhënëses së ATK-së, Valentina Bytyqi Sefa, informatat e tilla mund të sigurohen vetëm nëse tatimpaguesi liron nga konfidencialiteti palët që kërkojnë këtë informacion, ashtu siç parashihet me Nenin 84 të Ligjit Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat.
Bazuar në ligjet e vendit, mediat e kanë për obligim raportimin financiar vjetor të përcaktuar me Ligjin Nr. 04/L-44 për Komisionin e Pavarur të Mediave.
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) është një institucion kushtetues që rregullon mediat audiovizive dhe me frekuencë në Kosovë.
Neni 28, paragrafi 1 i ligjit për KPM-në, thotë se shërbimet e licencuara mediale audiovizuele duhet t’i paraqesin raport vjetor KPM-së, në të cilin përfshihet informacioni përkitazi me programin dhe veprimin në përputhje me kushtet e licencës së bashku me një raport financiar të detajuar dhe informacione të tjera të parapara me ligj.
Duke cituar ligjin, Arsim Dreshaj, zyrtar për media në KPM, ka thënë për BIRN se nuk mund t’i publikojnë informacionet e ndjeshme komerciale dhe financiare.
“Neni 28 që ka të bëjë me kërkesat për raportim, ku Pika 4 përcakton se: “KPM-ja nuk do t’ia publikojë asnjë personi informacionin e ndjeshëm komercial dhe financiar që paraqitet në raportin vjetor të të licencuarve, përveç në rastet kur me ligj kërkohet të veprohet ndryshe”. Konform kësaj pike është përcaktuar çështja e trajtimit të raporteve vjetore financiare të të licencuarve” - ka thënë Dreshaj.
Ardita Zejnullahu, drejtoreshë Ekzekutive e Asociacionit të Mediave Transmetuese në Kosovë - AMPEK, ka thënë se mediat duhet t’i publikojnë financat e tyre për hir të transparencës dhe misionit që kanë. Por, ajo thotë se kjo duhet të garantohet me ligj.
“Tani nëse do të duhej mediat të publikonin financat e tyre, në parim, për hir të transparencës dhe korrektësisë dhe natyrës së punës dhe misionit të mediave në shërbim të publikut, do të ishte mirë që këto të dhëna të ishin publike dhe të qasshme, por në anën tjetër duhet ruajtur një lloj balanci në mes të ‘informatave të ndjeshme financiare’ në njerën anë dhe transparencës në anën tjetër. E kjo besoj se sigurohet dhe garantohet me Nenin 28.4 të ligjit të KPM” - ka thënë Zejnullahu.
“Besoj se në momentin kur të rregullohet me ligj çështja e pronësisë dhe koncentrimit të mediave, (mungesa e të cilit është përmendur edhe në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, edhe atë tre herë), kur të dihen edhe ‘beneficiary owners’ siç edhe theksohet në raport, atëherë do të ketë shumë më tepër mundësi për transparencë dhe informatat rreth ndikimit qoftë politik ose qoftë biznesor në media”- shtoi ajo.
Sipas saj, në vendet e rajonit situata është e ngjashme sikur edhe në Kosovë - raportet financiare nuk janë publike.
“Por ekziston mënyra për t’u qasur në to siç është rasti edhe në Kosovë. Në Mal të Zi për shembull, raportet financiare mediat i dorëzojnë vetëm në Administratën Tatimore por jo edhe te institucioni rregullator i mediave” - thotë ajo.
Zejnullahu thotë se një çështje tjetër shumë me rëndësi është që në Kosovë asnjëherë nuk është bërë hulumtimi i tregut medial, në mënyrë që, në bazë të tij, të dihet kapaciteti i tregut dhe mundësia e tij për mbështetje të mediave.
“Kjo është tejet me rendësi që të bëhet, dhe një ndërmarrje e tillë duhet të bëhet nga rregullatori” - përfundoi ajo.
Të dhënat nga hulumtimi i BIRN do të publikohen në fillim të dhjetorit në databazën e MOM.